
Real Madrid, PSG e Arsenal në çerekfinale të Champions League
Real Madrid, Paris Saint-Germain dhe Arsenal kanë siguruar kualifikimin në çerekfinale të UEFA Champions League, pas rezultateve pozitive në ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8 së finales.
Real Madrid ka eliminuar Manchester City me rezultat të përgjithshëm 5-1, duke e nxjerrë jashtë garës për të tretin sezon radhazi. Ndeshja është vendosur edhe nga një moment kyç, kur Bernardo Silva është ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa Vinícius Junior ka qenë ndër më të dalluarit për skuadrën madrilene, duke shënuar dy gola në ndeshjen e mbyllur me rezultat 1-2. Skuadra angleze golin e vetëm e ka realizuar përmes norvegjezit Haaland.
Arsenal ka fituar 2-0 ndaj Bayer Leverkusen në Londër, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 3-1. Golat për skuadrën e drejtuar nga Mikel Arteta i kanë shënuar Eberechi Eze dhe Declan Rice.
E Paris Saint-Germain e ka dominuar plotësisht përballjen me Chelsea, duke fituar 3-0 në Londër dhe 8-2 në total. Golat për kampionin në fuqi i kanë realizuar Khvicha Kvaratskhelia, Bradley Barcola dhe Senny Mayulu, duke mos i lënë asnjë shans skuadrës angleze për rikthim.
Paraprakisht skuadra e Sportingut të Lisbonës e ka eliminuar atë norvegjeze, Bodo/Glimt.
Të mërkurën zhvillohen edhe katër ndeshje të tjera.


