
Reagon Vlora Çitaku: Nga opozita po kërkohet pjesëmarrje vetëm për të legjitimuar tendencat totalitare të A.K.
Deputetja e Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka kandiduar Glauk Konjufcan për postin e Presidentit të vendit.
Përmes një reagimi publik, Çitaku ka deklaruar se nga opozita po kërkohet pjesëmarrje vetëm për të legjitimuar, sipas saj, tendencat totalitare të kryeministrit Albin Kurti.
“Tashmë është e qartë se nga opozita po kërkohet pjesëmarrje vetëm për të legjitimuar tendencat totalitare të A.K. Kuvendi nuk është arenë gare. Kuvendi është vendi ku duhet të ketë marrëveshje dhe konsensus, ku ndërtohet balanca demokratike e shtetit”, ka theksuar ajo.
Sipas Çitakut, nocionet e dialogut dhe konsensusit, në këtë rast, po anashkalohen.
“Fatkeqësisht, për A.K. këto nocione duket se janë të panjohura. Kur pushteti kërkohet pa kufij dhe pa dialog, demokracia kthehet në krizë. Kosova nuk e meriton këtë”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

