Hoti: Po përsëritet skenari i vitit 2020, kriza për interesa politike e jo parimore

Hoti: Po përsëritet skenari i vitit 2020, kriza për interesa politike e jo parimore

Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kandidatin e saj partiak për President, Glauk Konjufcen.

Hoti ka deklaruar se zhvillimet aktuale përbëjnë, sipas tij, përsëritje të skenarit të vitit 2020, kur – siç thekson ai – ishte kryeministri Albin Kurti ai që rrëzoi qeverinë që udhëhiqte, duke çuar në prishjen e koalicionit me LDK-në.

Sipas Hotit, edhe tani po veprohet njëanshëm, pa marrëveshje politike dhe me një kandidat që, sipas tij, nuk i ka votat e nevojshme, duke e çuar vendin drejt një krize të re institucionale dhe zgjedhjeve të parakohshme.

Ai vlerëson se situata nuk lidhet me çështje parimore, por me kalkulime politike.

“Qytetarët po e kuptojnë qartë se, sikurse në vitin 2020, kriza nuk është për çështje parimore, por për interesa meskine politike. Skenari është i njëjtë: polarizim, imponim dhe pastaj zgjedhje”, ka theksuar Hoti.

Deputeti i LDK-së ka shtuar se Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, konsensus për çështje madhore dhe stabilitet institucional, duke rikujtuar se zgjedhja e Presidentit kërkon dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvend.

Sipas tij, faturën e veprimeve të papërgjegjshme politike e paguajnë qytetarët dhe shteti i Kosovës në tërësi.

Share This