
Ramos synon të blejë aksione te klubi i njohur spanjoll
Legjenda e Real Madridit, Sergio Ramos, po studion seriozisht mundësinë e blerjes së aksioneve te Sevilla, klubi ku nisi karrierën e tij profesionale.
Mbrojtësi veteran është rikthyer në Evropë pasi i përfundoi kontrata me Monterrey në Liga MX.
Ramos është i vendosur të vazhdojë të luajë edhe këtë sezon, me synimin për të qenë pjesë e Spanjës në Kupën e Botës, dhe paralelisht po mendon edhe për të ardhmen e tij jashtë fushës.
Sipas “Estadio Deportivo”, Ramos tashmë shërben si këshilltar i klubit dhe zotëron një numër të vogël aksionesh te Sevilla. Tani, ai po shqyrton mundësinë që të bëhet investitor i rëndësishëm në rast të një shitjeje të ardhshme të klubit.
Për momentin, thuhet se Ramos ka kërkuar vetëm informacione mbi opsionet që ka në dispozicion, nëse vendos të blejë një përqindje më të madhe aksionesh, pa marrë ende ndonjë vendim konkret.
Sergio Ramos e nisi karrierën e tij profesionale te Sevilla, përpara se të transferohej te Real Madrid, ku fitoi gjithçka të mundshme. Pas një periudhe te PSG, ai u rikthye për një aventurë më të shkurtër te Sevilla, për t’u larguar më pas drejt Monterrey vitin e kaluar.


