Ramadani optimist para duelit me Celje-n: Do t’i shihni 11 gladiatorë

Ramadani optimist para duelit me Celje-n: Do t’i shihni 11 gladiatorë

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, në një konferencë për media, ka folur një ditë para sfidës kthyese kundër Celje-s.

Skuadra sllovene dhe kampionia në fuqi e Kosovës, do të ballafaqohen nesër mbrëma në Slloveni, në duelin kthyese të play-off-it në Ligën e Konferencës, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar një javë më parë në Prishtinë, ishte mbyllur me fitoren e ekipit slloven, me rezultat 2-1.

Ramadani është i bindur se të besuarit e tij, do të japin më të mirë në duel me ekipin slloven.

“Kemi 90 minuta për ta përmbysur rezultatin. Futbollistët janë të motivuar dhe nuk kemi presion. Ju garantoj që ata që kanë udhëtuar në Slloveni do të shohin 11 gladiatorë e jo 11 manekenë”, ka thënë Ramadani.

Trajneri gjithashtu krahasoi situatën me surprizën e Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve, duke lënë të kuptohet se Drita synon të bëjë të njëjtën gjë në Ligën e Konferencës.

“Ne mund të jemi befasi, nuk e besoj ende eliminimin”, ka theksuar Ramadani.

Dueli mes Celje dhe Dritës fillon në orën 18:45.

Share This