
Rama reagon për Gjykatën ndaj Hashim Thaçit: Shpëtimtarët e Kosovës nuk mund të dënohen si kriminelë
Kryeministri Edi Rama, ka reaguar ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një postim në rrjetin e tij zyrtar në Facebook, Rama theksoi se nuk mund të quhet krim lufta për liri dhe se veprimet e atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës nga regjimi nacional-socialist nuk mund të trajtohen si faje.
Ai shprehu shqetësimin se një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, si Hashim Thaçi, po paraqitet para një gjykate që, sipas tij, është e krijuar për të dënuar ata që dhanë jetën për lirinë e popullit shqiptar.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!
Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkruan Rama.

