
PSG blen Chevalier, Donnarumma drejt largimit, italian kërkohet nga gjiganti anglez
Me kërkesë të trajnerit Luis Enrique, Paris Saint-Germain ka transferuar portierin Lucas Chevalier nga Lille për 40 milionë euro, një zgjedhje teknike që pritet ta lërë jashtë planeve Gigio Donnarumman, shkruan Rekordi.net.
Situata e portierit italian në Paris është ndërlikuar edhe nga vështirësitë në rinovimin e kontratës së tij, e cila skadon në vitin 2026.
Politika e re e kampionëve evropianë është ulja e pagës fikse dhe ofrimi i bonuseve të lidhura me performancën dhe suksesin e ekipit.
Donnarumma aktualisht fiton 12 milionë euro në vit, por PSG i ka ofruar 8 milionë plus 2-3 milionë euro në bonuse. Pas një sezoni të shkëlqyer, gardiani italian është i pakënaqur me këtë ofertë.
Në orët e fundit, Manchester City ka shfaqur interes, duke pasur parasysh se po shet Ederson te Galatasaray. Interesim mund të ketë edhe nga Manchester United, ndërsa Chelsea për momentin ka prioritete të tjera.
Sipas mediave, në tryezë janë tre skenarë: transferim i menjëhershëm, largim si lojtar i lirë në 2026, ose rinovim me huazim dhe vendim përfundimtar vitin e ardhshëm. /Rekordi.net


