Prishtina-Gjilani, kështu mbyllet derbi i rivalëve të vjetër

Prishtina-Gjilani, kështu mbyllet derbi i rivalëve të vjetër

Prishtina dhe Gjilani kanë ndarë pikët në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës, duke luajtur baras 0-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan Rekordi.net.

Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja skuadrat, rrjetat mbetën të paprekura për 90 minuta në një ndeshje të luftuar, por pa efikasitet para portës.

Në pjesën e parë, Gjilani ishte pranë golit me Edi Basën, i cili goditi shtyllën pas një harkimi të bukur nga Ylli Ibrahimi. Prishtina reagoi shpejt dhe Leotrim Kryeziu goditi traversën pas një kundërsulmi të rrezikshëm të vendasve.

Në pjesën e dytë, gjilanasit menduan se kishin fituar një penallti pas një prekjeje të topit me dorë nga mbrojtësi Christopher Mamengi, por pas rishikimit të aksionit me VAR, gjyqtari Erdall Zasella vendosi ta anulojë vendimin fillestar.

Në minutat e fundit, Prishtina shtoi presionin për të gjetur golin e fitores, por Gjilani mbrojti mirë dhe arriti të ruajë rezultatin e barabartë deri në fund.

Pas këtij barazimi, Prishtina mbetet lidere e Superligës me 26 pikë, tre më shumë se ndjekësi i afërt Ballkani që ka 23 pikë. /Rekordi.net

Share This