
Presidenti Ademi pas shortit në Washington D.C: Me besim te djemtë tanë vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të arritur ëndrrën e madhe
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se është i kënaqur që ishte pjesë e shortit për Kupën e Botës 2026, shkruan Rekordi.net.
Shorti për eventin më të madh në botën e futbollit, u mbajt sonte në Washington D.C.
“Sot në Washington D.C., në shortin e Kupës së Botës 2026 të gjithë pjesëmarrësit përjetuam emocione të veçanta në një ceremoni madhështore në “John F. Kennedy Center”, e ku të pranishëm ishin edhe presidenti amerikan, Donald Trump, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum dhe kryeministri kanadez Mark Carney. Ishte kënaqësi dhe nder për ne të ishim pjesë e këtij eventi, me një organizim spektakolar dhe të veçantë, siç di vetëm Amerika t’i realizojë”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.

“Shorti vendosi që, në rast të kualifikimit, Kosova të jetë në grup me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njërin nga tre nikoqirët e Botërorit dhe aleatin tonë të përhershëm, i cili ka qëndruar pranë nesh në momentet më thelbësore të historisë, nga rruga drejt lirisë e deri te shpallja e pavarësisë”.

“Të luajturit kundër SHBA-së në Botëror do të ishte një nder i madh dhe emocion unik për mbarë kombin tonë. Megjithatë, fokusi ynë tani është vetëm te ndeshjet e marsit. Gjithë përkushtimi është tek gjysmëfinalja e “play-off”-it ndaj Sllovakisë në Bratisllavë, sfida jonë e parë dhe më e rëndësishme drejt ëndrrës së madhe. Me besim te djemtë tanë dardanë vazhdojmë të punojmë me përkushtim maksimal për të arritur ëndrrën e madhe, të vetëdijshëm se rruga deri atje është shumë e vështirë.

Na priftë e mbara! Vazhdojmë me përgjegjësi e krenari, për Kosovën!”, ka pohuar Ademi. /Rekordi.net


