
Policia: Nata e Vitit të Ri kalon me incidente të izoluara
Policia e Kosovës ka zbatuar një plan të veçantë operativ me masa të shtuara sigurie gjatë natës së ndërrimit të mot-moteve, me synim ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve në të gjithë territorin e vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, është rritur dukshëm prezenca policore në zonat ku pritej grumbullim më i madh i qytetarëve dhe zhvillim i aktiviteteve festive. Policia ka bërë të ditur se janë ndërmarrë masa shtesë sigurie në hapësira publike dhe ambiente ku pritej frekuentim i lartë gjatë festës së Vitit të Ri.
Plani operativ ka përfshirë gjithashtu angazhim të shtuar në fushën e trafikut rrugor, menaxhimin e pikave të kalimit kufitar, si dhe sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar.
“Është treguar kujdes i veçantë në mbikëqyrjen dhe kontrollin e trafikut rrugor, në menaxhimin e pikave të kalimit kufitar, përfshirë aeroportin ndërkombëtar, si dhe në sigurimin e brezit kufitar në përgjithësi”, thuhet në njoftim.
Sipas raportimeve të Drejtorive Rajonale Policore, nata e Vitit të Ri ka kaluar kryesisht e qetë, megjithatë janë shënuar disa incidente të izoluara.
Policia bën të ditur se janë raportuar raste të lëndimeve trupore si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike, disa lëndime të lehta nga armë zjarri, si dhe dëme materiale të shkaktuara nga zjarret e shkaktuara nga mjetet piroteknike.
Të gjitha rastet e raportuara janë duke u trajtuar në koordinim të ngushtë me prokuroritë kompetente dhe do të procedohen sipas ligjit.
“Policia e Kosovës ka iniciuar dhe do të vazhdojë trajtimin e të gjitha rasteve, qofshin ato vepra penale apo incidente të tjera, të cilat në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse do të përcillen tek organet e drejtësisë”, thuhet më tej.
Në përmbyllje, Policia e Kosovës ka uruar qytetarët me rastin e Vitit të Ri 2026, duke falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar.
“Gëzuar Vitin e Ri 2026! Ju urojmë shëndet, paqe, siguri dhe suksese. Faleminderit për bashkëpunimin dhe besimin ndaj Policisë së Kosovës”, përfundon njoftimi, raporton rtk.


