Kurti takohet me Georgievën, në fokus ekonomia dhe FMN-ja

Kurti takohet me Georgievën, në fokus ekonomia dhe FMN-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua në New York me drejtoren menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe FMN-së, reformat ekonomike dhe sfidat e reja me të cilat po përballet ekonomia globale.

Takimi u zhvillua gjatë vizitës së Kurtit në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për partneritetin e deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe FMN-së, si dhe për mundësitë e thellimit dhe diversifikimit të këtij bashkëpunimi.

Kurti theksoi se agjenda e reformave të Qeverisë synon krijimin e vendeve më të mira të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë.

“Agjenda e reformave synon krijimin e vendeve më të mira të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, përmes rritjes së produktivitetit, investimeve dhe eksporteve, si dhe rritjes së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore”, tha Kurti, raporton rtk.

Në këtë drejtim, kryeministri veçoi zgjerimin e programit SuperPuna për Gratë, si dhe vazhdimin dhe përmirësimin e sistemit të arsimit dual.

Kurti foli edhe për ecurinë e ekonomisë së Kosovës, duke theksuar se gjatë këtij viti vendi ka shënuar rritje ekonomike prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë.

Në takim u diskutuan edhe zhvillimet dhe sfidat globale, përfshirë rritjen e çmimeve të naftës dhe krizën energjetike. Palët biseduan për mekanizmat dhe masat që nevojiten për përballimin e këtyre sfidave.

Në fund të takimit, Kurti falënderoi Georgievën për bashkëpunimin e vazhdueshëm të FMN-së me Kosovën dhe shprehu synimin për thellimin dhe diversifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi gjatë mandatit të ri.

“Synimi ynë është që bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar ta thellojmë dhe diversifikojmë edhe më tej”, u shpreh Kurti.

Share This