Përshkallëzohet konflikti, nisin operacionet ushtarake izraelite në qytetin e Gazës, rriten viktimat civile

Përshkallëzohet konflikti, nisin operacionet ushtarake izraelite në qytetin e Gazës, rriten viktimat civile

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë njoftuar fillimin e operacioneve ushtarake në qytetin e Gazës. Sipas një deklarate të zëdhënësit të IDF-së, Avichay Adraee, forcat po operojnë me “forcë të madhe në periferi të qytetit”.

Si pasojë, mijëra civilë të zhvendosur janë detyruar të largohen, ndërsa Al Jazeera raporton për një qiell të errësuar nga tymi i bombardimeve.

Kjo lëvizje vjen pas një paralajmërimi të IDF-së se “pauza taktike lokale” humanitare nuk do të zbatohet më në këtë zonë, duke e cilësuar atë si një “zonë të rrezikshme luftimi.”

Reagimet e palëve dhe situata në terren

Zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Abu Obeida, paralajmëroi se pushtimi do të ketë një “efekt shkatërrues” mbi udhëheqjen izraelite dhe se “ushtria armike do ta paguajë çmimin me gjakderdhjen e ushtarëve të saj.” Ai gjithashtu shtoi se pengjet përballen me të njëjtat rreziqe si luftëtarët palestinezë dhe fajësoi qeverinë izraelite në rast vdekjeje të tyre.

Gjatë avancimit të trupave, IDF gjeti trupin e pengut Ilan Weiss, 56 vjeç, i vrarë më 7 tetor 2023, si dhe mbetjet mortore të një pengu të dytë, të cilat po identifikohen. Besohet se në Gaza ndodhen ende 48 pengje izraelite.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 63,025 palestinezë janë vrarë dhe 159,490 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori 2023. Vetëm në 24 orët e fundit, 59 palestinezë, përfshirë 23 punonjës të ndihmave, janë vrarë.

Një OJQ raportoi se Forcat Ajrore Izraelite bombarduan një shtëpi me familjarë në Deir al-Balah, pranë një shtëpie guesthouse emergjence. Stafi në terren, përfshirë menaxherin e projektit Francesco Sacchi, konfirmoi se bombardimet vazhduan gjatë gjithë natës dhe se ata nuk kishin marrë asnjë paralajmërim.

Qëndrimet ndërkombëtare

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se sanksionet kundër kolonëve izraelitë më të dhunshëm janë më të rëndësishme se pezullimi i fondeve të BE-së për Izraelin, duke shtuar se do të diskutojë këtë qëndrim me Gjermaninë.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, akuzoi Izraelin për kryerjen e “krimeve të luftës” dhe “terrorizmit shtetëror” me mbështetjen e SHBA-së. Fidan përsëriti kundërshtimin e Turqisë ndaj çdo plani për transferimin e palestinezëve.

Ndërkohë, në një ngjarje të ndërlidhur, mediat raportuan se Kryeministri i qeverisë huthi në Jemen, Ahmed al-Rahawi, u vra dje në një sulm izraelit në Sana’a. /rtsh/

Share This