Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Beograd

Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Beograd

Vetëm pak minuta pas përfundimit të protestës “Shihemi në Vidovdan” në sheshin Sllavia, në Beograd shpërthyen tensione dhe përleshje mes policisë dhe protestuesve në disa pjesë të qytetit.

Rreth orës 21:45, studentët që për shtatë muaj kanë udhëhequr protestat, thanë se protesta nuk është më vetëm studentore, por qytetare. “Nuk do të ndalemi, kjo është vetëm fillimi për një shoqëri më të mirë. Tani jeni të lirë të veproni, e dini vetë çfarë duhet të bëni”, u tha nga foltorja, teksa turma ndezi flakadanë, raporton e gazeta beogradase ‘Danas’.

Menjëherë më pas, në orën 21:52, ndodhën incidentet e para mes policisë dhe protestuesve.

Situata u përshkallëzua edhe në afërsi të ambasadës së Turqisë, ku u hodhën disa shpërthyes të fuqishëm (të ashtuquajtur “top zhurmues”) si dhe gaz lotësjellësi.

Protestuesit kishin vendosur një afat deri në orën 21:00 që pushteti të plotësonte kërkesat e tyre, si mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe largimi i parkut tematik “Caciland” nga qendra e Beogradit, ku tash e sa muaj mbështetësit e Vuçiqit mblidhen për t’i kundërshtuar protestat studentore.

Share This