PDK: Vendimi i ShBA-së, goditja më e rëndë për Kosovën në 25 vjet liri

PDK: Vendimi i ShBA-së, goditja më e rëndë për Kosovën në 25 vjet liri

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur një mbledhje pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.

Në përfundim, partia ka lëshuar një deklaratë për media, duke e cilësuar këtë zhvillim si “dëmin më të madh politik, diplomatik dhe strategjik për Kosovën në 25 vitet e lirisë së saj”.

Sipas PDK-së, ky vendim është pasojë e veprimeve të “pamatura dhe të papërgjegjshme” të qeverisë dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti, të cilat, sipas tyre, kanë cenuar raportet me aleatin kryesor të Kosovës, ShBA-të.

“Partneriteti me ShBA-në është interes jetik dhe kombëtar për Kosovën. Është i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. PDK mbetet e përkushtuar që ky partneritet të ruhet, të forcohet dhe të zgjerohet në çdo rrethanë”, thuhet në reagimin e partisë.

PDK thekson se marrëdhëniet me ShBA-të kanë qenë gjithmonë të konsoliduara kur ajo ka qenë në qeverisje, duke paralajmëruar se vendi po rrezikon izolimin ndërkombëtar për shkak të qeverisjes aktuale.

Në fund, partia kërkon bashkimin e forcave properëndimore për të rikthyer Kosovën në rrugën e sigurt të integrimit euroatlantik.

Share This