PDK lëshon sallën pasi rezoluta nuk u vendos si pikë e parë

PDK lëshon sallën pasi rezoluta nuk u vendos si pikë e parë

Partia Demokratike e Kosovës e ka lëshuar sallën plenare të Kuvendit të Kosovës dhe ka tërhequr propozimin që kishin për futjen në rend dite të rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998-1999 si shkak i mospajtimeve për renditjen e saj në rendin e ditës së seancës së sotme. PDK-ja kërkoi që kjo të futej si pikë e parë.

 

Ndonëse partitë arritën pajtueshmëri që përmbajtja e rezolutës të diskutohej mes të gjitha grupeve parlamentare, ajo që nuk u pajtuan partia e parë dhe e dytë në Kuvend, ishte renditja e kësaj pike.

“Partia Demokratike e Kosovës ka përgatitur një draft-rezolutë në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës. Sot, përballë nesh nuk kemi vetëm sfida politike dhe institucionale, kemi një sfidë edhe më të thellë, edhe më të rrezikshme, përpjekjen për të shtrembëruar historinë tonë. Kujtesa nuk është vetëm e kaluar, është identitet, është themeli mbi të cilin qëndrojmë ne si shoqëri. Ne kemi dhënën një draft- propozim , jemi të gatshëm ta diskutojmë, kërkojmë të futet në rendin e ditës si pikë e parë, pas pyetjeve parlamentare. Nuk ka kuptim që Kuvendi sot të sillet normalisht e mos ta miratojë këtë rezolutë si hap i parë”, tha Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit nga PDK-ja.

Shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se ata janë të interesuar të kontribuojnë në një rezolutë që do të paraqiste  përmbajtësisht e në aspekt shumëdimensional çështjet që trajtojnë luftën e fundit.

“Ne jemi të gatshëm që të delegojmë deputetët tanë që bashkë me deputetët e Grupeve Parlamentare që të punojnë gjatë ditës e të vijnë me një rezolutë. Jemi të gatshëm të dërgojmë deputetët tanë si pjesë e një grupi me të gjithë përfaqësuesit e partive politike e të sjellin një draft për miratim në Kuvend”, tha ajo.

Jehona Lushaku-Sadriu  nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kanë shqyrtuar tekstin e rezolutës dhe në parim pajtohen për të, sepse, tha se, është obligim institucional e shtetëror për ta mbrojtur të vërtetën e sakrificën e popullit për liri. “Gjithsesi jemi të gatshëm të kontribuojmë edhe në komision të përbashkët nëse ka një iniciativë të tillë”, tha ajo.

Besnik Tahiri i AAK-së tha se draft-rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së e kanë  marrë dje. “Dhe kemi pasur bukur një kohë për ta shqyrtuar e për ta trajtuar, sot kemi pasur një takim në mëngjes ku kemi diskutuar për nevojën që përmbajtja  me qenë pak a shumë e përbashkët”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se është  shumë e rëndësishme të ketë unifikim në raport me këtë çështje.

“Ne për herë të parë kemi edhe Ministrinë për Vlerat e Luftës, ministrin Hoti e kemi këtu. Diskutimi për një draft-rezolutë që do të procedohet si harmonizim nga të gjitha grupet, siç ka ndodhur edhe në ta kaluarën, sepse sa herë që është propozuar një rezolutë është diskutuar me të gjitha Grupet Parlamentare, do të shërbente edhe kontributi e ndihma që do ta jepte edhe ministri, Andin Hoti. Si kryetare e Kuvendit, ju lus të jeni të unifikuar, sepse po e shoh që dallimi nuk është i madh. A vendoset në fillim të rendit të ditës a në fund, besoj që ata që përnjëmend mendojnë që kjo çështje është shumë serioze, qëllimin duhet ta kenë që të kalojë rezoluta e jo a vendoset pika e tretë apo e dytë. Ju lutem si kryetare e Kuvendit që t’i jepni hapësirë diskutimeve”, tha Haxhiu.

Megjithatë, PDK-ja insistoi në propozimin që kjo pikë të renditet si e para, e për këtë tha se nuk bëjnë kompromis.

“Megjithatë ne jemi të gatshëm që të ulemi bashkë, sepse për ne, për secilin deputet nuk ka asnjë çështje tjetër më të rëndësishme se trajtimi i kësaj rezolute, votimi në unanimitet. Ne jemi të gatshëm të ulemi, të inkorporojmë vërejtjet, por nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromis, sepse ne ua dhamë votat për marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Citaku.

Duke parë insistimin e pDK0së në këtë drejtim, kryetarja e Kuvendit ta se do ta vendosë në votim propozimin e këtij subjekti politik.

Por, Çitaku tha se është e pakuptimtë për ta që ta hedhin në votim propozimin e tyre.

“Ne do të largohemi nga salla, në sallë do të qëndrojë vetëm Nait Hasani që do të deklarohet në emër të Grupit Parlamentar”, tha Çitaku derisa deputetët e PDK-së dolën nga salla plenare. /rtk/

Share This