
PDK: Kurti po vazhdon bllokadën institucionale, sot u shpërfill aktgjykimi i Kushtetueses
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti, se po vazhdojnë bllokadën institucionale dhe po injorojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në një komunikatë për media, PDK vlerëson se zhvillimet në seancën e së enjtes treguan se vonesa në krijimin e institucioneve nuk lidhet me mungesën e votave apo me rrethana të tjera, por është rezultat i një vendimi politik të Vetëvendosjes.
Sipas kësaj partie, nuk ka pasur asnjë pengesë që gjatë seancës të propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit dhe të zhvillohej procesi i votimit për konstituimin e legjislativit. PDK rikujton se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
PDK thekson se mosveprimi i sotëm përbën, sipas saj, shpërfillje të rendit kushtetues dhe të obligimeve që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se askush nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën apo të mbajë peng institucionet për interesa partiake.
Në reagim, partia opozitare rithekson se vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të plotë të rendit kushtetues.
Në fund, PDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti, që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të heqin dorë nga bllokada institucionale dhe të mundësojnë pa vonesa konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

