Mirlind Daku zyrtarisht te Spartaku i Moskës

Mirlind Daku zyrtarisht te Spartaku i Moskës

Sulmuesi Mirlind Daku ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij. Klubi i njohur rus Spartak Moska ka zyrtarizuar transferimin e tij nga Rubin Kazani, me reprezentuesin shqiptar që ka firmosur kontratë trevjeçare dhe do të mbajë fanellën me numrin 19.

Sipas raportimeve nga mediat ruse, Spartaku ka paguar rreth 11 milionë euro për kartonin e Dakut. Sulmuesi pritet të përfitojë rreth 3.75 milionë euro në sezon, ndërsa si pjesë e marrëveshjes ka marrë edhe një bonus prej 1.5 milionë eurosh.

Megjithatë, ardhja e tij në Moskë nuk është pritur njësoj nga të gjithë. Një pjesë e tifozëve të Spartakut, të njohur për qëndrimet e tyre kundër Kosovës, kanë reaguar negativisht ndaj transferimit. Gjatë një ndeshjeje të fundit të klubit janë dëgjuar thirrje nacionaliste dhe fyese ndaj shqiptarëve, ndërsa në rrjetet sociale janë shfaqur kundërshtime për afrimin e sulmuesit.

Pavarësisht polemikave, drejtuesit e Spartakut kanë vendosur të ecin përpara me marrëveshjen dhe presin që Daku të jetë një nga armët kryesore në repartin ofensiv.

Klubi rus ka vlerësuar paraqitjet e tij te Rubin Kazani, ku në tri sezone shënoi 38 gola dhe dhuroi 10 asistime në 93 paraqitje. Spartaku ka theksuar edhe fuqinë fizike të sulmuesit 192 centimetra të gjatë, si dhe aftësinë e tij për të krijuar raste për bashkëlojtarët.

Karriera e Dakut përfshin skuadra nga Kosova, Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia. Ai ka luajtur për Hajvalinë, Llapin dhe Ballkanin, ndërsa më pas për Kukësin, Osijekun dhe Muran. Sezoni më i suksesshëm për të ishte ai 2020/21, kur realizoi 31 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit kosovar.

Në nivel ndërkombëtar, Daku fillimisht përfaqësoi grupmoshat e Kosovës, ndërsa në vitin 2023 zgjodhi të luajë për Shqipërinë. Deri tani ka zhvilluar 17 ndeshje me kuqezinjtë dhe ishte pjesë e ekipit në Kampionatin Evropian.

Pas prezantimit, Daku vizitoi muzeun e Spartakut në “Lukoil Arena” dhe ndoqi nga afër një ndeshje të Kupës së Rusisë. Stërvitjen e parë me ekipin e ri e zhvillon të premten.

Spartaku i Moskës, një prej klubeve më tradicionale ruse dhe i lidhur me kompaninë energjetike Lukoil, sezonin e kaluar e mbylli kampionatin në vendin e katërt. Trofeu i fundit i madh në ligë për klubin erdhi në vitin 2017, ndërsa Kupën e Rusisë e fitoi në edicionin e kaluar.

Share This