
Mblidhet Grupi Parlamentar i VV-së, Kurti: Do të deklarohem pas mbledhjes
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka hyrë në takimin e Grupit Parlamentar të VV-së, i cili po mbahet në selinë e VV-së, brenda Kuvendit të Kosovës.
I pyetur për qëndrimet e fundit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Kurti ka nënvizuar kandidaturën e Bekim Sejdiut.
Ai tha se emri i tij ishte një emër i përveçëm, i cili ishte propozuar nga të dyja palët.
“Vullnetin për zgjedhjen e presidentit e kemi shndërruar në marrëveshje me LDK-në, me emrin e përveçëm të profesor Bekim Sejdiut. Mbrëmë kemi pasur takim në VV me Kryesinë, tash po shkoj në mbledhjen e Grupit Parlamentar e më pas do të mund t’ju drejtohem”, ka thënë Kurti, raporton rtk.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Kurti ka thënë se shpreson që gjithçka të shkojë mirë me marrëveshjen e arritur me LDK-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president. Ai tha se po punojnë për këtë çështje, ndërsa paralajmëroi edhe mbledhjen e brendshme të VV-së.

