
PDK kërkon unitet për miratimin e rezolutës për të kaluarën historike
Partia Demokratike e Kosovës reagoi pasi Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sipas tyre, nuk ka arritur të dakordohet për rendin e ditës për seancën plenare të së premtes. PDK ka kërkuar që në rend dite të përfshihet për shqyrtim një rezolutë për mbrojtjen e së kaluarës historike dhe trajtimin e viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku pas mbledhjes tha se kjo temë nuk duhet të trajtohet si çështje politike, por si çështje me rëndësi kombëtare, duke bërë thirrje që deputetët të bashkohen për miratimin e një teksti të përbashkët.
Çitaku tha se Kryesia e Kuvendit nuk ka arritur marrëveshje për rendin e ditës që do të shqyrtohet nga deputetët në seancën e së premtes, ndërsa theksoi se PDK ka proceduar dhe protokolluar kërkesën për miratimin e një rezolute të veçantë, e cila ka për qëllim mbrojtjen e të kaluarës historike dhe trajtimin institucional të viktimave të luftës.
Ajo deklaroi se për PDK-në kjo temë nuk ka qenë asnjëherë çështje politike, duke theksuar se ruajtja e kujtesës historike është pjesë e identitetit dhe themel i ndërtimit të shtetit dhe institucioneve.
“Kujtesa nuk është vetëm e kaluara. Kujtesa është identitet. Kujtesa është themeli mbi të cilin ndërtohemi ne si shoqëri, si institucione, si shtet”, tha Çitaku, raporton rtk.
Sipas saj, PDK ka synuar që edhe në seancën e kaluar kjo rezolutë të trajtohet në Kuvend dhe ka insistuar që e njëjta të diskutohet edhe në mbledhjen e sotme të Kryesisë. Çitaku shtoi se qëllimi i partisë është që deputetët e Kuvendit të ulen dhe të dakordohen për një tekst të përbashkët mes grupeve parlamentare.
Ajo bëri të ditur se përfaqësuesit e PDK-së në Kuvend do të kontaktojnë grupet parlamentare për të dhënë këtë iniciativë, në mënyrë që Kuvendi të dalë i bashkuar dhe që një rezolutë e tillë të miratohet me unanimitet.
Çitaku theksoi se kjo çështje duhet të trajtohet me solemnitet dhe seriozitet, duke e cilësuar si temë të rëndësishme kombëtare.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se mungesa e vullnetit politik ka penguar që kjo rezolutë të përfshihet në rendin e ditës si pikë e parë për shqyrtim në seancën e së premtes.
Ai akuzoi përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë shprehur gatishmëri për ta mbështetur kërkesën e PDK-së në Kryesi.
“Nuk ka pasur vullnet politik nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe si rezultat i kësaj nuk kemi mundur që të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës”, deklaroi Tahiri.


