
Pas Francës, edhe disa vende të tjera në Evropë njohin shtetin e Palestinës
Pas Francës, Monako, Malta dhe Luksemburgu deklaruan mbështetjen e tyre gjatë samitit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mbi një zgjidhje e luftës në Gaza me dy shtete, duke deklaruar kështu njohjen e tyre për Palestinën. Belgjika gjithashtu deklaroi njohjen e saj, por tha se kjo mund të hyjë në fuqi ligjore vetëm nëse Hamasi hiqet dhe lirohen të gjitha pengjet izraelitë.
Në samitin për luftën në Gaza, të bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, presidenti francez Emmanuel Macron tha se njohja e një shteti palestinez është “zgjidhja e vetme që do t’i lejojë Izraelit të jetojë në paqe”, duke e quajtur këtë veprim një “disfatë për Hamasin”.
Gjatë samitit në OKB, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, e quajti situatën në Gaza “të patolerueshme” dhe tha se një zgjidhje me dy shtete është “e vetmja mënyrë për të dalë nga ky makth”.
Guterres tha se shtetësia për palestinezët “është një e drejtë, jo një shpërblim” dhe pa të, “nuk do të ketë paqe” në rajon.
Më herët edhe Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Portugalia deklaruan njohjen e shtetit të Palestinës, duke u bashkuar me më shumë se 145 shtete anëtare të OKB-së që tashmë e njohin shtetësinë palestineze.
Samiti synon të intensifikojë përpjekjet drejt ringjalljes së një zgjidhjeje me dy shtete dhe të sigurojë një rrugë drejt paqes. Megjithatë lëvizja për të njohur shtetin palestinez ka shkaktuar një reagim të ashpër në Izrael.
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, tha se SHBA-të dhe Izraeli “nuk do të marrin pjesë në këtë maskaradë” dhe shprehu zhgënjim ndaj Macronit.
“Më 8 tetor, ju qëndruat me Izraelin, folët për pengjet. Sot po ecni përpara, po i lini pengjet pas”, tha ambasadori izraelit, duke iu referuar vendeve që njohën shtetësinë palestineze. /rtsh/


