
Paraqitje e mirë e Zhegrovës, Juve barazon me Lazion
Juventus i ka mohuar Lazios një fitore historike, duke barazuar 2-2 në sekondat e fundit të ndeshjes së Serie A, falë golit të Pierre Kalulu në minutat shtesë, raporton Rekordi.net.
Me këtë rezultat, bardhezinjtë i mohuan Lazios dy fitore radhazi ndaj tyre në kampionat për herë të parë që nga sezoni 1942/43.
Pavarësisht formës së mirë në javët e fundit, Juventusi e pati të vështirë të çante mbrojtjen e organizuar të Lazios në pjesën e parë. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 16-të, kur Gleison Bremer goditi me kokë pas krosimit të Kalulusë, por Ivan Provedel reagoi shkëlqyeshëm. Më pas, një gol i Teun Koopmeiners u anulua për pozicion jashtë loje.
Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej pa gola, Lazio goditi në kohën shtesë: Daniel Maldini asistoi për Pedro Rodríguezin, i cili shënoi me ndihmën e një devijimi nga Bremer, duke i dhënë epërsinë miqve.
Fillimi i pjesës së dytë ishte ëndërr për Lazion, pasi Gustav Isaksen dyfishoi shifrat vetëm dy minuta pas rifillimit. Juventusi, skuadër në të cilën në fraksionin e dytë u inkuadrua në lojë edhe Edon Zhegrova, reagoi gradualisht, por Provedel vazhdoi të ishte vendimtar me pritje të njëpasnjëshme. Megjithatë, në minutën e 60-të, Weston McKennie ngushtoi rezultatin në 2-1 pas një krosimi të Andrea Cambiasos.
Lazio pati shanse të mira për ta mbyllur ndeshjen, por mungoi konkretizimi. Kjo u ndëshkua rëndë në minutën e gjashtë të shtesës, kur Pierre Kalulu shënoi me kokë dhe i dha Juventusit një barazim dramatik, duke ruajtur edhe rekordin e pamposhtjes në shtëpi këtë sezon në Serie A.
Pas këtij rezultati, Juventusi mbetet tri pikë mbi Romën e vendit të pestë, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa Lazio renditet e teta dhe shtrin serinë pozitive me pesë ndeshje radhazi pa humbje në transfertë. /Rekordi.net


