Rodrygo shpëton Real Madridin

Rodrygo shpëton Real Madridin

Real Madridi ka arritur një fitore të rëndësishme 2-1 në transfertë ndaj Deportivo Alavés, me Rodrygon që shënoi golin vendimtar, duke i dhënë qetësi trajnerit Xabi Alonso pas një periudhe jo të lehtë për “Los Blancos”.

Kjo ishte vetëm fitorja e tretë e Realit në nëntë ndeshjet e fundit zyrtare, ndërsa Alavés regjistroi humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit në LaLiga.

Mysafirët nisën ndeshjen në sulm, por dy tentativat e para të Kylian Mbappé nuk gjetën portën. Francezi u shfaq më i saktë në mesin e pjesës së parë, kur pas një asisti të bukur nga Jude Bellingham, depërtoi nga krahu i majtë dhe realizoi një gol të bukur për epërsinë 1-0.

Real ishte pranë golit të dytë pak minuta më vonë, por realizimi i Bellingham u anulua për prekje me dorë. Alavés mori më shumë kontroll drejt fundit të pjesës së parë dhe rrezikoi seriozisht në sekondat e fundit, por Thibaut Courtois bëri një pritje vendimtare, duke ruajtur avantazhin e madrilenëve në pushim.

Në pjesën e dytë, Reali kërkoi ta mbyllte ndeshjen, me raste nga Federico Valverde, Mbappé dhe Vinícius Júnior, por portieri Antonio Sivera u tregua në nivel të lartë. Mungesa e konkretizimit u ndëshkua në mesin e fraksionit të dytë, kur Carlos Vicente barazoi për Alavés pas një topi të gjatë. Goli u anulua fillimisht për pozicion jashtë loje, por u pranua pas rishikimit nga VAR-i.

Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi zhgënjyes, në skenë doli Rodrygo. Pas një aksioni të shpejtë nga Vinícius Jr në krahun e majtë, braziliani dërgoi një top të ulët në zonë, të cilin Rodrygo e shtyu në rrjetë për golin e fitores.

Në minutat e fundit, Reali pati raste për ta thelluar epërsinë, ndërsa Vinícius Jr kërkoi edhe penallti, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Me këtë triumf, Real Madridi e çon në gjashtë serinë e ndeshjeve pa humbje në transfertë, ndërsa Alavés pëson humbjen e tetë radhazi ndaj madrilenëve në përballjet direkte.

Share This