
Paraqitet si viktimë në gjykatë, refuzon të dëshmojë në prokurori për korrupsion: Opozita e bën “horë” Kurtin
Paraqitja e sotme e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, para gjykatës në cilësinë e dëshmitarit për rastin e kanosjes ndaj tij, ka nxitur reagime të shumta në vend. “Opozita” e ka akuzuar kryeministrin në detyrë për standarde të dyfishta.
Zyrtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së ia kanë rikujtuar Kurtit refuzimin që po bën ai për t`u paraqitur para prokurorisë për të dëshmuar për disa afera korruptove ku janë të dyshuar ministrat e tij.
Ndër të parat që ka reaguar ka qenë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo ka bërë me dije se Kurti shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut për një status në “Facebook”, por nuk dëshmon në prokurori për aferat korruptive.
Në profilin e tij në “Facebook”, ajo ka shkruar se kush ka sy me pa situata është e qartë.
“Pra, A.K. shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, “krimi” i të cilit ishte një status në Facebook. Por, kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij, refuzon t’i përgjigjet prokurorisë. Kush ka sy me pa dhe vesh me dëgju, e kupton se situata është më se e qartë”, ka shkruar Çitaku.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar Albin Kurti për standarde të dyfishta në raport me organet e drejtësisë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Kurti e ka shndërruar drejtësinë në tavolinë suedeze.
“Kur Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta ose Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe Vetëvendosjes, ato menjëherë lavdërohen si mbrojtëse të ligjshmërisë dhe rendit në Republikë. Kur po të njëjtat institucione nxjerrin vendime që cenojnë interesat e Kurtit dhe VV-së, menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara dhe të manipuluara, madje edhe si vegla të Serbisë. Prokuroria konsiderohet e pavarur dhe e drejtë vetëm kur merret me rastin “Pronto”, ndërsa kur trajton aferën “Zdravo” të dyshes Kusari-Radojiçiq, diskreditimi është i menjëhershëm”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Sot, deputeti Kurti u shfaq në gjykatë si viktimë, në një rast të kanosjes. Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale. Ai, që mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeministrit në detyrë, e sheh drejtësinë si tavolinë suedeze: merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen. I njëjti person refuzon, përçmon dhe injoron thirrjet e Prokurorisë për të dhënë dëshmi si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për dallaveret me rezervat shtetërore”, ka shkruar ajo.
Kurse, ish-kandidati i AAK-së për deputet, Arton Demhasaj, ia ka rikujtuar Kurtit që nuk po dëshmon në prokurori për aferat korruptive.
“Pamje “historike” – Kryeministri në detyrë/Deputeti Kurti, dëshmon në gjykatë për një kërcënim! Ama për aferat me miliona e miliona euro, tendera, korrupsion nuk bën me shku me deshmu në Prokurorin Speciale… aty s’ka kohë me u paraqit, se qenka shumë i zënë me “drejtësi selektive”! Luja Albin, luja… Luja popullit sa të mundesh!”, ka shkruar ai.
Pas përfundimit të seancës, ku dy të akuzuarit nuk kanë pranuar fajësinë për kërcënimin e Kurtit, kryeministri në detyrë nuk ka pranuar të flasë.
Ndonëse gazetarët e pyeten, nëse tash do të paraqitet edhe në prokurori, ai ka refuzuar të përgjigjet.
Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se paraqitja e Kurtit në Gjykatë, nuk është standard i dyfishtë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar pse Kurti sot është paraqitur në gjykatë.
“Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale. Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë. Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar”, ka shkruar ai.


