Paqe në Gjilan, Ballkani mposht Prishtinën, s’ka gola në ‘Zahir Pajaziti’

Paqe në Gjilan, Ballkani mposht Prishtinën, s’ka gola në ‘Zahir Pajaziti’

Kanë përfunduar tri ndeshjet e fundit të javës së 17-të në elitën e futbollit kosovar.

Ballkani ka vazhduar serinë e fitoreve duke mundur Prishtinën, me rezultat 3-1, në duelin e luajtur në Suharekë.

Para fillimit të takimit, u mbajt një minutë heshtjeje në nderim të Dren Feratajt, anëtar i stafit të FC Prishtinës, i cili ndërroi jetë së fundmi. Lojtarët e të dyja skuadrave, së bashku me gjyqtarët, dolën në fushë me fanella që mbanin fotografinë e tij, ndërsa klubi kryeqytetas e kujtoi me mesazhin prekës: “Gjithmonë në zemrat tona, Dren.”

Ndeshja nisi me intensitet të lartë dhe ishte Prishtina ajo që kaloi e para në epërsi, kur Gentrit Salihu realizoi në minutën e 13-të. Reagimi i Ballkanit ishte i shpejtë dhe vendimtar. Bleart Tolaj barazoi shifrat në minutën e 22-të, ndërsa vetëm nëntë minuta më vonë, një autogol i Salihut i dha epërsinë vendasve, 2-1.

Dominimi i Ballkanit u konfirmua në minutat shtesë të pjesës së parë, kur Valentin Serebe realizoi nga pika e bardhë, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultat 3-1. Ky ishte goli i tij i 13-të në këtë edicion të Superligës.

Pjesa e dytë u karakterizua nga lojë më e balancuar dhe raste nga të dyja skuadrat, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fishkëllimën finale.

Me këtë fitore të rëndësishme, Ballkani vazhdon të kryesojë Superligën e Kosovës me 32 pikë, ndërsa Prishtina mbetet në vendin e tretë me 27 pikë.

Ndërkohë, Drita dhe Gjilani kanë ndarë pikët në kryederbin e kësaj xhiros duke luajtur baras 1-1, në një përballje të zjarrtë dhe plot rivalitet.

Si gjithmonë, dueli mes dy rivalëve lokal nisi me intensitet të lartë, me të dyja skuadrat që kërkuan golin që nga minutat e para. Rastet nuk munguan, por mungoi konkretizimi në fazën përfundimtare.

Pas 75 minutave lojë, ishte i inkuadruari Arb Manaj ai që e zhbllokoi rezultatin për vendasit, duke ndezur atmosferën në stadium. Megjithatë, gëzimi i Dritës zgjati pak, pasi vetëm katër minuta më vonë Gjilani reagoi me një gol spektakolar. Mbrojtësi Armend Thaqi realizoi një eurogol nga gjuajtja e lirë në minutën e 79-të, duke barazuar shifrat.

Në minutat e mbetura, të dyja skuadrat patën mundësi për ta fituar ndeshjen, por mungesa e saktësisë bëri që rezultati të mos ndryshojë deri në fund.

Me këtë barazim, Drita mbetet në vendin e pestë të tabelës me 25 pikë, ndërsa Gjilani renditet një pozitë më poshtë, në vendin e gjashtë, me 23 pikë.

Edhe pse luajti me një lojtar më shumë për më shumë se 25 minuta, Llapi nuk arriti t’i arkëtojë pikët e plota në shtëpi ndaj Malishevës, me ndeshjen që u mbyll pa gola 0-0.

Vendasit ishin më kërkues gjatë pjesës më të madhe të takimit, duke tentuar të ndërtonin aksione të shumta sulmuese, por mungesa e konkretizimit bëri që rezultati të mbetej i pandryshuar. Në anën tjetër, Malisheva u përpoq të rrezikojë përmes kundërsulmeve dhe topave të gjatë, por pa arritur efikasitet në fazën përfundimtare.

Mysafirët mbetën me një lojtar më pak në minutën e 63-të, pas ndëshkimit me karton të kuq, por pavarësisht inferioritetit numerik, arritën të ruajnë barazimin falë një mbrojtjeje të organizuar mirë.

Skuadra e drejtuar nga Elon Berisha tregoi disiplinë taktike dhe rezistencë, duke siguruar një pikë të vlefshme në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Me këtë barazim, Malisheva vazhdon ta mbajë pozitën e katërt në tabelë me 26 pikë, ndërsa Llapi renditet në vendin e shtatë me 21 pikë.

Share This