
Sassuolo ia ndal hovin Milanit, barazim spektakolar në “San Siro”
Milani vazhdoi serinë pozitive në Serie A, duke shënuar ndeshjen e 14-të radhazi pa humbje, por u detyrua të kënaqet me një barazim 2-2 ndaj Sassuolos në “San Siro”, në një përballje mjaft dramatike, shkruan Rekordi.net.
Kuqezinjtë kishin mundësinë të ushtronin presion mbi rivalët direkt, me pjesën tjetër të skuadrave të top tetëshes që luanin më vonë gjatë së dielës. Megjithatë, Sassuolo edhe një herë u tregua “kockë e fortë” për Milanin, duke konfirmuar rolin e skuadrës që shpesh i shkakton telashe gjigantit milanez.
Fillimi i ndeshjes nuk ishte sipas planeve për vendasit. Pas një rasti të hershëm nga Alexis Saelemaekers, ishin mysafirët që kaluan në epërsi rreth minutës së 15-të, kur Ismaël Koné realizoi me mjeshtëri, duke e mposhtur Mike Maignan pas një aksioni të ndërtuar mirë.
Milani pati vështirësi të reagojë përballë mbrojtjes kompakte të Sassuolos, por barazimi erdhi para pushimit. Davide Bartesaghi u shfaq në shtyllën e dytë dhe shënoi golin e parë në Serie A, pas asistimit të Ruben Loftus-Cheek.
Pjesa e dytë nisi më mirë për kuqezinjtë, të cilët kaluan në avantazh sërish me Bartesaghin, që realizoi golin e dytë personal. Milani shënoi edhe dy herë të tjera përmes Christian Pulisic dhe Adrien Rabiot, por të dy golat u anuluan për faull dhe pozicion jashtë loje.
Me kalimin e minutave, Sassuolo mori më shumë iniciativë dhe barazoi rezultatin rreth 15 minuta para fundit, me Armand Laurienté që realizoi saktë. Mysafirët ishin shumë pranë përmbysjes, por Laurienté u ndal nga shtylla pas një kundërsulmi të shpejtë.
Ky barazim i hap rrugë Napolit dhe Interit që ta kalojnë Milanin në renditje, ndërsa Sassuolo vazhdon paraqitjet pozitive pas rikthimit në elitë, duke u renditur aktualisht në vendin e nëntë me 21 pikë. /Rekordi.net


