Osmani uron Shqipërinë për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave me BE-në: Urime Presidentit Bajram Begaj

Osmani uron Shqipërinë për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave me BE-në: Urime Presidentit Bajram Begaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Shqipërinë pas hapjes së pesë kapitujve të fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përmes një njoftimi në platformën “X”, Osmani e ka cilësuar këtë moment si historik dhe një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë evropian.

“Urime Presidentit Bajram Begaj, kryeministrit Edi Rama dhe qytetarëve të Shqipërisë për hapjen e pesë kapitujve të fundit të negociatave me BE-në, një hap historik që dëshmon angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë drejt integrimit evropian,” ka shkruar ajo.

Kreu i shtetit të Kosovës theksoi se ky progres i Shqipërisë ndikon pozitivisht edhe në stabilitetin dhe perspektivën e të gjithë rajonit.

“Ky është një hap që i sjell qytetarët e Shqipërisë, si dhe rajonin tonë, edhe më pranë Bashkimit Evropian. Qytetarët e Kosovës festojnë sot bashkë me ju, teksa vazhdojmë të punojmë pandalur për ta avancuar edhe më tej rrugën e vendit tonë drejt BE-së,” përfundoi Osmani.

Share This