
Osmani takon Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, diskutohet avancimi i Kosovës në organizatë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, ku diskutuan mbi përfshirjen dhe rolin në rritje të Kosovës në këtë organizatë.
Në rrjetet sociale, Osmani falënderoi Perestrellon për nominimin dhe vendimin që t’i ndahet Çmimi për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, duke theksuar se ky çmim është edhe një vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës.
“E falënderova për nominimin dhe vendimin e Asamblesë Parlamentare që të më ndajë këtë vlerësim, i cili njëkohësisht është edhe një nderim për të gjitha gratë e Kosovës”, shkruan Osmani.
Presidentja gjithashtu përmendi se në takim u bisedua për avancimin e statusit të Kosovës si anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin euroatlantik të vendit.
“Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë për anëtarësim të plotë në NATO, që mbetet prioritet kryesor i politikës sonë të jashtme dhe çështje jetike për sigurinë kombëtare”, tha Osmani.
Ky takim vë në pah angazhimin e Kosovës për integrim euroatlantik, si dhe përpjekjet për promovimin e rolit të grave në fushën e sigurisë dhe paqes në rajon.


