
Agim Musliu: Lista Serbe ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar komunitetin serb në Kosovë
Analisti Agim Musliu nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka theksuar se Lista Serbe po përballet me rënie të ndjeshme të mbështetjes dhe se ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar komunitetin serb në Republikën e Kosovës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Musliu ka krahasuar rezultatet e Listës Serbe në zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2025, duke vënë në pah se kjo parti ka pësuar rënie të dukshme në vota dhe ndikim politik.
Sipas tij, Lista Serbe, që funksionon si “instrument i Beogradit për të instrumentalizuar pakicën serbe në Kosovë”, ka bërë gjithçka për të përkeqësuar jetën e komunitetit serb që pretendon se përfaqëson.
“Ka një rënie të theksuar të mbështetjes për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit lokale dhe kjo shprehet më së miri nga të dhënat e rezultateve. Si instrument i Beogradit, Lista Serbe ka detyruar serbët lokalë të braktisin institucionet e Kosovës, i ka frikësuar dhe shantazhuar. Kështu, ajo e ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar komunitetin pakicë serb në Kosovë”, ka shkruar Musliu.
Ai thekson se strategjia e Beogradit përmes Listës Serbe ka dështuar, ndërsa serbët në Kosovë po kërkojnë gjithnjë e më shumë përfaqësim të lirë dhe të pavarur, larg ndikimeve politike nga Serbia.


