
Osmani pret në takim diplomatin italian Antonini, në fokus zhvillimet politike në vend
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim diplomatin italian Maurizio Antonini, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan edhe aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Presidentja Osmani theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka dhënë në fazat kyçe të shtetndërtimit dhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Ajo vlerësoi rolin e Italisë si një partner të rëndësishëm dhe aleat të fuqishëm të Kosovës në rrugën drejt integrimeve dhe zhvillimit institucional.
Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit riafirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.


