
Osmani për Ditën e Veteranëve të UÇK-së: Liria nuk dhurohet, fitohet me guxim dhe sakrificë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për burrat dhe gratë që u ngritën, siç tha ajo, në kohën kur liria ishte vetëm një ëndërr.
Në një postim në Facebook, Osmani theksoi se veteranët e UÇK-së u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në periudhën më të errët për vendin, duke nënvizuar rolin e tyre vendimtar në rrugëtimin drejt lirisë.
Sipas presidentes, ata përfaqësojnë dëshminë më të qartë se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim, përkushtim dhe sakrificë.
“Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore”, ka shkruar Osmani.
Në fund të mesazhit, presidentja ka nderuar dëshmorët e kombit dhe veteranët e UÇK-së, duke theksuar se lavdia për dëshmorët është e përjetshme, ndërsa nderimi për veteranët duhet të jetë i vazhdueshëm.


