
Osmani pas marrëveshjes me Bahamasin: Kosova ecën përpara duke fituar miq
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me kryeministrin e këtij vendi, Philip Davis, është nënshkruar Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.
“Kosova ecën përpara duke fituar miq,” ka shkruar Osmani në postimin e saj.
Presidentja ka theksuar se ky akt vlerëson dhe forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke zgjeruar rrethin e shteteve mike që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar,” ka shtuar Osmani.
Ky hap konsolidon vendin në arenën ndërkombëtare dhe pasuron rrjetin diplomatik të Kosovës, duke theksuar angazhimin e saj për bashkëpunim dhe stabilitet global.


