OKB paralajmëron për fenomenin “El Nino”: Mund të jetë viti më i nxehtë ndër dekada

OKB paralajmëron për fenomenin “El Nino”: Mund të jetë viti më i nxehtë ndër dekada

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë thirrje për përgatitje ndaj fenomenit klimatik “El Nino”, duke paralajmëruar se ai mund të shndërrohet në një nga më të fuqishmit, e regjistruar ndonjëherë dhe të përkeqësojë efektet e ndryshimeve klimatike në mbarë botën, raportoi BBC.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), faza e re e “El Nino-s”, mund të nisë brenda pak javësh dhe pritet të forcohet gjatë pjesës së mbetur të vitit 2026, duke nxitur temperatura më të larta dhe fenomene ekstreme të motit, në shumë rajone të globit.

Parashikimet e disa agjencive kombëtare meteorologjike, sugjerojnë se ky episod mund të renditet mes më të fuqishmëve të regjistruar ndonjëherë, madje duke u cilësuar si një “super El Nino”.

Shkencëtarët po monitorojnë me kujdes kushtet në Oqeanin Paqësor qendror, pasi fenomeni krijohet, kur ndryshimet në modelet e erës, lejojnë përhapjen e ujërave më të ngrohta, në zonat tropikale të Paqësorit.

Ekspertët e lidhin mundësinë e një “El Nino” të fuqishëm, me një masë të madhe uji jashtëzakonisht të ngrohtë nën sipërfaqen e Paqësorit.

Të dhënat nga satelitët dhe instrumentet matëse tregojnë temperatura që në disa zona janë mbi 6 gradë Celsius më të larta se mesatarja.

Sipas Michelle L’Heureux nga Qendra për Parashikimin e Klimës pranë Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), në SHBA, ngrohja e thellë e oqeanit është e krahasueshme me disa nga episodet më të forta të “El Nino-s”, të regjistruara deri më sot dhe shpesh paraprin rritjen e temperaturave në sipërfaqe, të cilat më pas ndikojnë në modelet globale të motit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi se “El Nino” do të “hedhë benzinë mbi zjarrin e një bote që po ngrohet”, duke theksuar se pasojat do të jenë më të mëdha, do të përhapen më larg dhe do të kapërcejnë kufijtë me shpejtësi shkatërruese.

Një “El Nino” i fuqishëm, zakonisht shoqërohet me mot më të nxehtë dhe më të thatë në disa pjesë të Amerikës së Jugut, Azisë Juglindore dhe Australisë, duke rritur rrezikun e thatësirave dhe zjarreve.

Ai mund të dobësojë gjithashtu musonin indian, të sjellë kushte më të thata në pjesët veriore të Bririt të Madh të Afrikës dhe të rrisë rrezikun e përmbytjeve në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ngjarjet e mëparshme të “El Nino-s” lidhen me rritje të çmimeve të ushqimeve dhe humbje ekonomike, që arrijnë në qindra miliarda apo edhe triliona dollarë në nivel global, për shkak të dështimeve të të korrave dhe ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit.

Megjithëse, është ende herët, për të përcaktuar nëse ky episod do të thyejë rekorde, shkencëtarët theksojnë se pasojat mund të jenë veçanërisht të rënda, pasi planeti po përjeton tashmë, temperatura rekord për shkak të aktivitetit njerëzor.

Sipas klimatologut Zeke Hausfather, viti 2027 ka shumë gjasa të bëhet viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në botë.

Ai theksoi se një “El Nino” i krahasueshëm me atë të vitit 1998, i cili në atë kohë konsiderohej jashtëzakonisht i nxehtë, sot do të dukej relativisht i ftohtë krahasuar me temperaturat e dy dekadave të fundit.

“Ky është një tregues i qartë i ndikimit të madh që njerëzit kanë mbi klimën”, tha Hausfather.

Share This