
Albulena Haxhiu takon ambasadorin gjerman Rudolph: Gjermania, partner kyç në rrugëtimin evropian të Kosovës
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermania në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen e vazhdueshme gjermane për Kosovën.
Sipas njoftimit të Presidencës, Haxhiu shprehu mirënjohjen për kontributin e Gjermanisë në proceset e shtetndërtimit, forcimit të institucioneve demokratike dhe avancimit të integrimit evropian të Kosovës.
Gjatë takimit u vlerësua partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa u theksua roli i rëndësishëm që Berlini ka luajtur në periudha vendimtare për vendin.
Haxhiu nënvizoi se Gjermania vazhdon të jetë një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë integrimin evropian, zhvillimin ekonomik, sigurinë, sundimin e ligjit, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ajo ritheksoi gjithashtu përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane, demokracisë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar mbështetjen gjermane si një faktor të rëndësishëm për avancimin e vendit në proceset evropiane dhe në arenën ndërkombëtare. /rekordi.net
