Deliu-Kodra: Qeveria po e përdor buxhetin si presion politik ndaj RTK-së

Deliu-Kodra: Qeveria po e përdor buxhetin si presion politik ndaj RTK-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj vonesës së pagave për punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), duke e cilësuar atë si abuzim dhe presion politik nga ana e qeverisë.

Në një postim në Facebook, ajo tha se gjysma e muajit gusht ka kaluar, por 700 punëtorë të RTK-së ende nuk e kanë marrë pagën e korrikut.

“700 familje që presin të mbulojnë faturat, ushqimin dhe nevojat e përditshme – të bllokuara nga vendime politike. Ndërsa gazetarët dhe punonjësit punojnë çdo ditë për t’i informuar qytetarët, qeveria përdor buxhetin si mjet presioni politik, duke ndarë miliona për projekte të dyshimta jashtë Ligjit për buxhet”, ka shkruar Deliu-Kodra.

Sipas saj, kjo përbën “sulm të hapur ndaj lirisë së medias” dhe është “tentativë për ta nënshtruar RTK-në politikisht”.

Deputetja kërkoi që ky, siç e quajti, abuzim të marrë fund menjëherë. /Rekordi.net

Share This