
Nuk ndalet Arsenali, ‘rrezon’ edhe Bayernin, rezultatet dhe tabela
Arsenal ka shënuar një fitore të madhe në fazën e ligës në Ligën e Kampionëve, duke triumfuar 3-1 ndaj Bayern Munichut në Londër dhe duke zgjatur serinë e fitoreve në këtë fazë në nëntë ndeshje radhazi, shkruan Rekordi.net.
Kjo ishte humbja e parë e bavarezëve në të gjitha garat këtë sezon.
Bayern nisi më mirë ndeshjen, por Arsenal ishte skuadra që gjeti fillimisht golin. Në minutën e 22-të, Bukayo Saka dërgoi një goditje këndi të saktë, ndërsa Jurriën Timber shënoi me kokë duke mposhtur Manuel Neuerin. Gjermanët reaguan shpejt dhe barazuan në minutën e 32-të, kur Serge Gnabry asistoi për Lennart Karl, i cili finalizoi saktë.
Pjesa e dytë solli më shumë raste për londinezët. Saka, Merino dhe Mosquera iu afruan golit, por Neuer mbajti ekipin në lojë deri në momentin kur loja mori kthesë. Riccardo Calafiori, vetëm pak çaste pasi hyri në fushë, asistoi bukur për Noni Madueke, i cili riktheu epërsinë e Arsenalit.
Kur Bayern u hodh në sulm për barazim, Arsenal realizoi edhe golin e tretë me një kundërsulm të shpejtë. Gabriel Martinelli shmangu Neuerin dhe shënoi në portën e boshatisur, duke mbyllur ndeshjen.
Me këtë fitore, Arsenal shkon në 16 ndeshje pa humbje në të gjitha garat dhe konfirmon kandidaturën serioze për trofeun e Champions League.
Për skuadrën e Vincent Kompanyt, kjo ishte humbja e parë pas 22 ndeshjeve rresht si mysafire. /Rekordi.net
Të gjitha rezultatet dhe tabela:



