
Newcastle mposht Manchester Unitedin në një sfidë drithëruese
Newcastle United ka shënuar fitore dramatike 2:1 ndaj Manchester Unitedit në kuadër të Premier League, falë një supergoli të William Osulës në minutat shtesë të ndeshjes, raporton Rekordi.net.
Skuadra e Eddie Howe, edhe pse luajti me një lojtar më pak që nga fundi i pjesës së parë, arriti të sigurojë tre pikë të mëdha në “St James’ Park”, duke i shkaktuar njëkohësisht humbjen e parë Manchester Unitedit nën drejtimin e Michael Carrick.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë dhe krijuan disa raste të rrezikshme në minutat e para. Kieran Trippier goditi shtyllën pas një krosimi të rrezikshëm, ndërsa Lewis Hall nuk arriti të përfitojë nga topi i kthyer. Newcastle vazhdoi presionin me tentativa nga Anthony Elanga dhe Harvey Barnes, por pa arritur të gjejë golin.
Manchester United u përmirësua drejt fundit të pjesës së parë. Kobbie Mainoo testoi portierin Aaron Ramsdale me një goditje nga distanca, ndërsa Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo patën mundësi të mira për të kaluar mysafirët në epërsi.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, ndeshja mori tjetër rrjedhë. Jacob Ramsey u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë për simulim, por menjëherë pas kësaj Newcastle fitoi penallti pasi Bruno Fernandes ndërhyri ndaj Anthony Gordon në zonë. Vetë Gordon realizoi nga pika e bardhë për 1:0.
Megjithatë, Manchester United reagoi menjëherë dhe barazoi para pushimit. Casemiro shënoi me kokë pas një goditjeje të lirë të Bruno Fernandesit për rezultatin 1:1.
Edhe pse me një lojtar më pak, Newcastle kontrolloi topin në fillim të pjesës së dytë dhe kërkoi golin e epërsisë. Anthony Gordon pati një tjetër rast të mirë, por u ndal nga portieri Senne Lammens.
Në minutat e fundit United rriti presionin. Leny Yoro ishte pranë golit me një goditje me kokë, ndërsa Joshua Zirkzee u ndal nga një pritje e shkëlqyer e Ramsdale.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, në skenë doli William Osula. Sulmuesi i Newcastle hyri nga krahu i djathtë dhe me një goditje të bukur të harkuar shënoi golin e fitores në minutat shtesë.
Me këtë fitore, Newcastle siguron suksesin e katërt radhazi në shtëpi ndaj Manchester Unitedit në Premier League, ndërsa “Djajtë e Kuq” humbasin mundësinë për ta përforcuar pozitën në zonën e Ligës së Kampionëve. /Rekordi.net


