
Ndihmat kosovare arrijnë në Gazë
Ndihmat humanitare të ndara nga Qeveria e Kosovës, të dedikuara për popullatën civile, kanë arritur në Rripin e Gazës. Dërgesa, në vlerë prej 500 mijë eurosh, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë. Ndihmat kanë arritur përmes territorit të Egjiptit.
Është bërë e ditur se më shumë se 1 300 tonelata ndihma humanitare të domosdoshme për popullatën në Rripin e Gazës, të dërguara nga Qeveria e Kosovës, kanë arritur në territor dhe tashmë ka filluar distribuimi i tyre.
Sipas njoftimeve, ndihmat e Qeverisë së Kosovës, në vlerë prej mbi 500 mijë eurosh, të cilat përfshijnë tenda, paketa humanitare si dhe më shumë se 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë, janë nisur nga porti i Mersinit në Turqi, si pjesë e transportit të 19-të detar të ndihmave për Gazën, të organizuar nga autoritetet turke. Disa orë më vonë, ato kanë arritur në portin egjiptian El-Arish, prej nga me kamionë janë transportuar drejt qendrave për ndarjen e ndihmave në Rripin e Gazës.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se ndihmat e dërguara nga Kosova përfaqësojnë solidaritetin ndërkombëtar dhe vendosmërinë për të përkrahur popullatën civile që po ballafaqohet me vështirësi të mëdha në Rripin e Gazës.
Ndihmat kosovare arritën si pjesë e transportit masiv detar të ndihmave për Gazën, të organizuar nga Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, dhe u mirëpritën nga zyrtarët. Përfaqësuesit e Gjysmëhënës së Kuqe në Turqi kanë falënderuar popullin e Kosovës, duke theksuar se përveç ndihmave të domosdoshme për mbijetesë, anija e quajtur “Anija e Mirësisë” bart edhe shpresën, dinjitetin njerëzor dhe solidaritetin me civilët në Rripin e Gazës.
Edhe pse luftimet në Rripin e Gazës kanë ndaluar, qindra mijëra palestinezë që kanë mbetur pa strehim po përballen me kushte të rënda atmosferike, si dhe me mungesë ushqimi, ilaçesh dhe veshjesh të nevojshme për të përballuar dimrin. Agjencitë humanitare kanë bërë të ditur se aktualisht ka nevojë urgjente për rreth 300 mijë tenda dimërore për të strehuar mbi 1.5 milion palestinezë, të cilët kanë mbetur pa kulm si pasojë e luftës dyvjeçare. /rtk/


