
Ndërron jetë trajneri argjentinas
Klubi i njohur argjentinas Boca Juniors ka njoftuar me dhimbje ndarjen nga jeta të trajnerit të tij, Miguel Angel Russo, në moshën 69-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate zyrtare të klubit, ku u theksua kontributi i madh dhe trashëgimia që ai la pas në historinë e “Xeneizes”.
Russo, i cili ishte rikthyer në stolin e Bocas verën e kaluar, vuante prej kohësh nga probleme shëndetësore. Sipas mediave argjentinase, ai kishte komplikacione të lidhura me një infeksion urinar, ndërsa në vitin 2017 i ishte diagnostikuar kanceri i prostatës. Paraqitja e tij e fundit në stol ishte më 21 shtator, pas së cilës u zëvendësua nga ndihmëstrajneri Ubeda.
Ish-lojtar i Estudiantes de La Plata, Russo zhvilloi një karrierë të gjatë si trajner. Ai drejtoi skuadra të njohura si Rosario Central, Estudiantes dhe më vonë Boca Juniors, me të cilën fitoi Copa Libertadores në vitin 2007. Dhjetë vite më vonë, në vitin 2017, arriti sukses të madh edhe në Kolumbi, duke fituar titullin kombëtar me Millonarios.
“Klubi Atletico Boca Juniors njofton me trishtim të thellë ndarjen nga jeta të Miguel Ángel Russo. Miguel lë një gjurmë të pashlyeshme në institucionin tonë dhe do të mbetet gjithmonë një shembull gëzimi, humanizmi dhe përkushtimi. Ne jemi pranë familjes dhe të dashurve të tij në këto momente të vështira. Lamtumirë, i dashur Miguel”, thuhet në njoftimin e Boca Juniors.
Me Russon, futbolli argjentinas humbi një nga figurat më të respektuara të trajningut modern, i cili la pas një trashëgimi të çmuar në fushë dhe jashtë saj.


