
Liderët botërorë mirëpresin marrëveshjen historike Izrael-Hamas : “Paqja duket e mundur”
Udhëheqësit politikë nga mbarë bota kanë përshëndetur marrëveshjen për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, e cila u njoftua të enjten, më 9 tetor, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Marrëveshja parashikon lirimin e 20 pengjeve nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë, si dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga pjesa më e madhe e Rripit të Gazës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilësoi marrëveshjen si “hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme”, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi: “Me ndihmën e Zotit do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi.”
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se Kombet e Bashkuara do të mbështesin zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe do të rrisin ndihmën humanitare në Gaza.
Ai u bëri thirrje palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të ndërtuar një rrugë politike drejt një zgjidhjeje me dy shtete.
Kryeministri britanik Keir Starmer e mirëpriti marrëveshjen si fazën e parë të planit të paqes të Presidentit Trump dhe kërkoi zbatimin e saj të menjëhershëm, si dhe heqjen e kufizimeve mbi ndihmën humanitare.
Ai falënderoi SHBA-në, Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për përpjekjet diplomatike.
Kryeministri kanadez Mark Carney u shpreh i lehtësuar për lirimin e pengjeve dhe tha se paqja më në fund duket e arritshme.
Presidenti argjentinas Javier Milley njoftoi se do të nënshkruajë nominimin e Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen, duke e cilësuar kontributin e tij si të jashtëzakonshëm.
Kryeministri malajzian Anwar Ibrahim e cilësoi marrëveshjen si një rreze shprese pas muajsh vuajtjesh, ndërsa Japonia, përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Kabinetit Yoshimasa Hayashi, e quajti marrëveshjen një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes me dy shtete dhe premtoi mbështetje për rindërtimin e Gazës.
Kryeministri australian Anthony Albanese tha se “bota ka arsye për shpresë të vërtetë”, ndërsa Ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters, e cilësoi marrëveshjen si një hap të parë pozitiv drejt përfundimit të vuajtjeve.
Italia, përmes Ministrit të Jashtëm Luigi Di Maio, shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në forcimin e armëpushimit dhe për të dërguar trupa paqeruajtëse nëse nevojitet. /rtsh/


