Ndalet Arsenali

Ndalet Arsenali

Arsenali ka dështuar të shfrytëzojë mundësinë për t’u shkëputur në nëntë pikë në krye të Premier League, pasi është ndalur në një barazim pa gola ndaj Nottingham Forest në një ndeshje të zbehtë të zhvilluar në “City Ground”, shkruan Rekordi.net.

Rezultatet e mëhershme të së shtunës, përfshirë humbjen e Manchester Cityt ndaj Manchester United dhe fitoren e West Hamit kundër Tottenhamit, i kishin dhënë skuadrës së Mikel Artetës një mundësi ideale për të forcuar epërsinë në tabelë.

Megjithatë, “Topçinjtë” nuk arritën të gjejnë rrugën drejt golit përballë një Foresti të organizuar dhe luftarak.

Vendasit krijuan rastin e parë serioz, kur Nicolas Dominguez provoi nga afër pas asistimit të Neco Williams, por goditja e tij e devijuar përfundoi jashtë. Arsenali u përgjigj me Gabriel Martinellin, i cili humbi një rast të artë, duke dërguar topin ngushtë pranë shtyllës pas një goditjeje nga kënd i vështirë.

Me kalimin e minutave, skuadra londineze filloi të rrisë ritmin. Martín Zubimendi gaboi në finalizim pas një pasimi të bukur nga Noni Madueke, ndërsa Forest rezistoi mirë dhe e mbylli pjesën e parë pa pësuar gol, pavarësisht presionit të shtuar të mysafirëve.

Në pjesën e dytë, Arteta ndërhyri me tri zëvendësime rreth orës së lojës, duke futur edhe Bukayo Sakën. Arsenali u bë më kërcënues, me Declan Rice që testoi portierin Matz Sels, ndërsa më pas Saka u ndal nga një pritje e shkëlqyer e gardianit belg pas një goditjeje me kokë.

Rastet vazhduan për Arsenalin, me Mikel Merinon që ishte pranë golit pas një goditjeje standarde të Rice, por Forest nuk u dorëzua dhe madje mund ta kishte fituar ndeshjen në fund, kur Morgan Gibbs-White dërgoi topin jashtë pas krosimit të Callum Hudson-Odoi.

Në fund, të dyja skuadrat u desh të kënaqeshin me nga një pikë. Arsenali tani kryeson tabelën me shtatë pikë diferencë dhe e zgjat serinë e ndeshjeve pa humbje në 11, duke mbetur favorit për titullin e parë në Premier League pas 22 vitesh.

Nga ana tjetër, Nottingham Forest merr një pikë të vlefshme që e mban pesë pikë larg zonës së rënies. /Rekordi.net

Share This