
Lushtaku-Sadriu: U imponua një votim duke e prishur procedurën
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushtaku-Sadriu, ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të votimit për nënkryetarët e Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës.
Ajo tha se LDK-ja kërkoi respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Punës dhe praktikës parlamentare, sipas të cilave tri grupet më të mëdha parlamentare kanë të drejtë të propozojnë nga një nënkryetar.
“U imponua një votim duke e prishur procedurën. Ne kërkuam që të respektohet procedura. Tri grupet më të mëdha parlamentare u takon nga një nënkryetar dhe me radhë duhet të votohen”, deklaroi Lushtaku-Sadriu.
Sipas saj, situata është krijuar edhe për shkak të mungesës së konsensusit politik nga Lëvizja Vetëvendosje për mënyrën e votimit.
Lushtaku-Sadriu tha se LDK-ja e kishte mbështetur propozimin e Vetëvendosjes për Arbërie Nagavcin si nënkryetare, por pretendoi se e njëjta qasje nuk është ndjekur ndaj kandidatëve të grupeve të tjera.
Ajo theksoi se procedura, sipas saj, tashmë është shkelur dhe paralajmëroi se LDK-ja mund të kërkojë interpretime ligjore dhe kushtetuese.
“Ne do të jemi në ballë të kërkesës për interpretime kushtetuese për aq kohë sa ka kaq shumë paqartësi. Këto procedura janë të sqaruara edhe me Kushtetutë, edhe përmes praktikave parlamentare”, u shpreh ajo.

