
Murati i përgjigjet Tahirit: “PDK s’i ka rritur pensionet, ne i kemi rritur mbi 20%”
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili e kritikoi Vetëvendosjen për propozimet e bëra për kryetar të Kuvendit dhe për vendimin e tij lidhur me pagën minimale dhe kategoritë e luftës.
Tahiri kishte thënë se Murati, gjatë mandatit si ministër, i kishte përjashtuar veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës nga paga minimale.
Në një postim në Facebook, Murati është kundërpërgjigjur me fakte, duke thënë se gjatë qeverisjes së PDK-së nuk është bërë asnjë rritje pensioni për këto kategori.
“Herën e fundit kur PDK ka qeverisur me vendin, me koalicionin PAN gjatë 2017–2020, pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve, dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro. Herën e parafundit kur PDK ka qeverisur me vendin, në koalicion me LDK gjatë 2014-2017, e kishte fshirë nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale. Kjo kërkesë kishte ardhur nga FMN-ja, pasi listat e veteranëve kishin filluar të mbusheshin edhe me ata që nuk i plotësonin kriteret, dhe kjo rrezikonte eskalim të kostos deri aty sa mund ta rrezikonte stabilitetin financiar,” ka shkruar Murati.
Ai shtoi se pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës “asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale”, duke thënë se kjo tregon “sa pak di Abelard Tahiri për këtë temë”.
Murati theksoi se gjatë mandatit të tij, pensionet e kategorive të luftës janë rritur për së paku 20%.
“Gjithashtu, gjatë kohës time si ministër është 4-fishuar buxheti i FSK-së, duke arritur për herë të parë të përmbushim kriterin e NATO-s prej 2% të BPV-së. Këto janë faktet,” ka përfunduar ai.


