‘Mos e lejoni askënd të na ndajë’, Hamza i bën thirrje diasporës të regjistrohet për zgjedhjet e 7 qershorit

‘Mos e lejoni askënd të na ndajë’, Hamza i bën thirrje diasporës të regjistrohet për zgjedhjet e 7 qershorit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se diaspora ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e shtetit të Kosovës.

Përmes një video-mesazhi drejtuar mërgatës, Hamza ka shprehur mirënjohjen për kontributin e diasporës ndër vite, duke thënë se “Kosova nuk do të ishte kjo që është sot” pa mbështetjen e tyre në periudhat më të vështira për vendin.

Ai ka kujtuar rolin e bashkatdhetarëve në mbështetjen e familjeve, ekonomisë dhe kauzës së Kosovës në botë, duke theksuar se diaspora meriton “respekt dhe mirënjohje të përhershme, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por çdo ditë”.

Hamza ka njoftuar se afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora tashmë është hapur dhe do të zgjasë deri më 17 maj, ndërsa i ka ftuar të gjithë bashkatdhetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes për Kosovën.

“Mos lejoni që të tjerët të vendosin për ju. Mos u mashtroni nga propaganda dhe fjalët boshe që u janë përsëritur që katër palë zgjedhje radhazi. Dhe mbi të gjitha, mos e lejoni askënd të na ndajë. Sepse nuk ka ‘ne’ dhe ‘ju’. Ka vetëm ne. Dhe ne jemi një”, ka thënë Hamza.

Sipas tij, asnjë shtet nuk është zhvilluar nga përçarja, por nga bashkimi, puna e përbashkët dhe besimi tek njëri-tjetri.

Në fund të mesazhit, kreu i PDK-së bëri thirrje që diaspora të regjistrohet deri më 17 maj dhe të kontribuojë në ndryshimin që, sipas tij, i duhet Kosovës.

Share This