
Ukraina godet fabrikën e armatimit në Rusi, teksa Moska kundërpërgjigjet
Ukraina njoftoi të shtunën se e ka kryer një sulm me rreze të gjatë veprimi gjatë natës ndaj një ndërtese ushtarako-industriale në Volgograd të Rusisë, ndërkohë që Moska e lëshoi një breshëri dronësh mbi Ukrainë në një tjetër natë sulmesh ndërkufitare.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se raketat ukrainase FP-5 “Flamingo” goditën uzinën Titan-Barrikady.
“Çdo objekt mbrojtës rus që punon për luftën kundër Ukrainës është një shënjestër e ligjshme për sulmet tona me rreze të gjatë veprimi”, shkroi Zelensky në një postim në Telegram të shtunën.
Ai tha se raketat “goditën me sukses ndërmarrjen Titan-Barrikady në Volgograd”, duke e përshkruar atë si “një kompleks të madh industrial ku armiku prodhon sisteme artilerie dhe pajisje ushtarake të specializuara, përfshirë elementë për raketahedhësit që përdoren për t’i goditur njerëzit tanë”.
“Një goditje u pasua nga zjarri në territorin e uzinës”, shtoi ai, duke falënderuar Forcat Mbrojtëse të Ukrainës “për saktësinë e tyre”.
Ndërtesa Titan-Barrikady, në qarkun Krasnoktiabrski të Volgogradit, lidhet me prodhimin e sistemeve të artilerisë, pajisjeve të specializuara ushtarake dhe komponentëve për sistemet e raketahedhësve.
Video të shpërndara online tregonin shpërthime dhe tym që ngrihej mbi uzinë pas sulmit të raportuar.
Guvernatori i Volgogradit, Andrey Bocharov, konfirmoi se predha ukrainase “me shpejtësi të lartë” kishin goditur qytetin dhe kishin dëmtuar objektet e prodhimit në një ndërmarrje në qarkun e Krasnoktiabrskit.
Ai tha se 10 njerëz u plagosën. Bocharov nuk e identifikoi objektin, por Titan-Barrikady ndodhet në atë qark.
Sulmi me dronë rusë
Sulmi ndodhi ndërsa Rusia kreu një tjetër sulm të madh me dronë ndaj Ukrainës gjatë natës së 26–27 qershorit. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se forcat ruse përdorën 129 dronë, përfshirë dronë sulmues të tipit Shahed, dronë Gerbera dhe Italmas, si dhe dronë mashtrues Parodiya.
Dronët u lëshuan nga disa drejtime, përfshirë Kursk, Briansk, Millerovo, Oriol dhe Primorsko-Akhtarsk në Rusi, si dhe nga Krimea e pushtuar dhe Donjecku i pushtuar.
Ukraina tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 113 dronë në veri, jug dhe lindje të vendit. Zyrtarët thanë se 13 dronë goditës arritën caqet e tyre në shtatë lokacione, ndërsa mbetjet e dronëve të rrëzuar ranë në tre vende të tjera.
Në rajonin verilindor të Sumit, autoritetet lokale thanë të shtunën se një person u vra dhe 14 të tjerë u plagosën gjatë më shumë se 60 sulmeve ruse në 24 orët e fundit. Zyrtarët raportuan dëme në shtëpi, automjete dhe infrastrukturë civile në këtë rajon kufitar. /REL

