BE drejt ndryshimit të rregullave, burrat ukrainas në moshë ushtarake mund të humbasin mbrojtjen automatike

BE drejt ndryshimit të rregullave, burrat ukrainas në moshë ushtarake mund të humbasin mbrojtjen automatike

Komisioni Evropian ka paraqitur një propozim të ri që parashikon heqjen e statusit të mbrojtjes së përkohshme automatike për burrat ukrainas në moshë ushtarake që mbërrijnë rishtazi në Bashkimin Evropian. Ky hap, i cili gjen mbështetjen e disa prej vendeve kryesore anëtare të bllokut si dhe të vetë Kievit zyrtar, shënon një kthesë të rëndësishme në politikën e migracionit të BE-së ndaj qytetarëve ukrainas që prej fillimit të pushtimit rus në vitin 2022.

Ndryshimi i propozuar u bë i ditur nga Komisioneri Evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, gjatë një takimi ministror në Luksemburg.

Kush preket nga propozimi?

Sipas planeve të Komisionit Evropian, statusi i përgjithshëm i mbrojtjes për ukrainasit do të mbetet në fuqi dhe pritet të zgjatet përtej afatit aktual që skadon në mars të vitit 2027. Megjithatë, rregullat e reja do të vendosin filtra të rreptë për personat e sapoardhur.

“Propozimi ynë parashikon që mbrojtja e përkohshme nuk duhet t’u jepet personave të sapoardhur të cilëve nuk u lejohet të largohen nga Ukraina për shkak të detyrimeve të tyre ushtarake,” deklaroi komisioneri Magnus Brunner.

Ndonëse propozimi është formuluar në terma neutralë nga ana gjinore, zyrtarët e BE-së pranojnë se ai do të prekë kryesisht meshkujt e moshës 23 deri në 60 vjeç. Ky rregull i ri nuk do të zbatohet për ukrainasit që ndodhen tashmë brenda territorit të Bashkimit Evropian. Ndryshimet do të bëhen efektive vetëm pasi Këshilli i Evropës t’i miratojë ato zyrtarisht dhe t’i publikojë në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Pse po ndryshon politika e BE-së tani?

Debati rreth kësaj çështjeje është nxitur nga dy faktorë kryesorë: rritja e fluksit të burrave të rinj muajt e fundit dhe kërkesat e vazhdueshme të Kievit për të përmbushur nevojat e frontit me personel ushtarak.

Në Ukrainë, ligji ndalon largimin e burrave nga 23 deri në 60 vjeç, por rekrutimi zyrtar nis në moshën 25 vjeç. Lehtësimi i përkohshëm që Kievi bëri verën e kaluar, duke lejuar largimin e të rinjve nga 18 deri në 23 vjeç, solli një rritje të ndjeshme të emigrimit të kësaj kategoria drejt rrugëve të Evropës.

Gjatë një vizite në Berlin, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kishte theksuar se kthimi i burrave në moshë ushtarake është një “çështje drejtësie” për vendin e tij që po përballet me agresionin rus.

Përçarje dhe mbështetje midis shteteve anëtare

Propozimi ka ngjallur reagime të ndryshme mes ministrave të brendshëm të bllokut evropian.

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, dhe ai austriak, Gerhard Karner, u shprehën fuqimisht pro heqjes së mbrojtjes automatike. Dobrindt sqaroi se këtyre personave duhet t’u lihet vetëm mundësia për të aplikuar individualisht për azil, pa përfituar nga paketa kolektive.

Ministri i Brendshëm estonez, Igor Taro, u shfaq më i kujdesshëm, duke sugjeruar se sistemi aktual duhet të zgjatet pa përjashtime, ndërsa çështja e rekrutimit duhet të zgjidhet përmes diskutimeve dypalëshe me Kievin.

Kritikat nga Këshilli i Evropës

Nga ana tjetër, Michael O’Flaherty, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës (institucion i pavarur nga BE-ja), e ka kritikuar ashpër këtë nismë. O’Flaherty shprehu shqetësimin e tij për presionin në rritje për t’i dhënë fund para kohe marrëveshjeve humanitare, duke nënvizuar se kjo është një kohë për “më shumë solidaritet, jo më pak”.

Sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, në BE jetojnë rreth 4.33 milionë ukrainas nën statusin e mbrojtjes së përkohshme, ku Gjermania mban numrin më të madh (gati 1.3 milionë), e ndjekur nga Polonia dhe Republika Çeke. Pak më shumë se 25% e këtij numri total përbëhet nga burra të rritur. Propozimi i ri tani pret votën e shumicës së shteteve anëtare për t’u kthyer në ligj fuqiplotë. /rtsh/

Share This