
LDK premton investime milionëshe
Në zemër të kryeqytetit, Lidhja Demokratike e Kosovës hapi zyrtarisht fushatën elektorale, duke prezantuar vizionin dhe angazhimin e saj qeverisës.
Kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Lumir Abdixhiku, u shpreh i bindur se Prishtina dhe e gjithë Kosova meritojnë institucione funksionale, transparente dhe politika që adresojnë nevojat reale të qytetarëve.
Ai me këtë rast premtoi investime milionëshe, rritje të shtesave për fëmijë, punësim për të rinj dhe investime kapitale.
“Ne do të jemi në krah të familjes. Ne do të ofrojmë 200 euro për të porsalindur, shtesa mujore deri në moshën 16-vjeçare dhe dyfishim të pensioneve, dhe nuk do të ketë pensione nën 300 euro. Ne vijmë me ekonomi e prodhim që krijon vende pune dhe do ta bëjmë republikën tonë vend të investimeve strategjike që do të gjenerojë mbi 20 mijë vende pune brenda mandatit tonë. Për çdo të diplomuar do të ofrojmë 500 euro mbështetje dhe punësim për të rinjtë. Mësuesi do të ketë pagë 1000 euro, polici, ushtari, zjarrfikësi dhe mjeku 900 euro pagën bazë dhe ky mbetet premtimi ynë. 5 miliardë euro investime kapitale në rrugë, hekurudha, ujë e kanalizim dhe infrastrukturë që lidh anë e mbanë Kosovës”, tha ai.
Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se po nis këtë rrugëtim për të qenë të bashkuar për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të fortë se kurrë.
“Rugovistë të përbetuar dhe popull i dashur i Republikës, po e nisim këtë rrugë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë dhe me besim të pakthyeshëm në familje dhe shtet. Po lidhim besën, duke u betuar se këtë shtet që e kemi amanet do ta zhvillojmë edhe më shumë. Me Lumirin dhe me secilin prej jush jemi bashkë për një Kosovë më të fortë dhe më të pathyeshme që ecën me rininë e saj dhe me guximin që askush nuk do t’ia ndalë hapin”, tha Osmani, raporton rtk.
LDK prezantoi edhe kandidatët për deputetë nga radhët e saj, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një ekip të përkushtuar, i cili do të angazhohet për përfaqësimin e drejtë të qytetarëve dhe adresimin e kërkesave të tyre në mënyrë efektive.

