
Çitaku: Kurti po e mban peng konstituimin e Kuvendit, “Albin, mjaft”
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vazhdimin e bllokadës institucionale.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave apo mungesës së votave, por një zgjedhje politike e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe që Kuvendi të mos votohej për konstituimin e tij. Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë krejtësisht e qartë në aktgjykimin e saj: Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka vlerësuar se mosveprimi gjatë seancës së sotme përbën shkelje të rendit kushtetues dhe mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Është shpërfillje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe e detyrimeve që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Kosova nuk mund të mbahet peng për llogari të kalkulimeve politike të një njeriu apo një partie. Albin, mjaft. Konstituoje Kuvendin menjëherë dhe lëre Kosovën të ecë përpara”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.

