Ministrja Spiropali takon krerët e parlamentit kroat: Ballkani, pjesë e padiskutueshme e BE-së, diplomacia parlamentare, kyçe për integrimin

Ministrja Spiropali takon krerët e parlamentit kroat: Ballkani, pjesë e padiskutueshme e BE-së, diplomacia parlamentare, kyçe për integrimin

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka rikonfirmuar edhe një herë vizionin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian, gjatë një takimi të nivelit të lartë me përfaqësues të shtetit kroat.

Përmes një njoftimi në kanalet e saj të komunikimit në media sociale, kryediplomatja shqiptare bëri me dije se ka zhvilluar një bisedë të frytshme me Kryetarët dhe Drejtuesit e Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Parlamentit të Kroacisë.

Spiropali nëvizoi se Kroacia mbetet një partner strategjik me të cilin Shqipëria ndan të njëjtin këndvështrim për gjeopolitikën e rajonit. Sipas Ministres, të dyja palët janë të bindura se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është vetëm një: “pjesë e padiskutueshme e Bashkimit Evropian”.

Roli i ligjvënësve në integrim

Në fokus të diskutimit ishte fuqizimi i bashkëpunimit jo vetëm mes qeverive, por edhe mes parlamenteve. Spiropali vlerësoi rolin e veçantë që luajnë organet ligjvënëse në përshpejtimin e reformave dhe proceseve integruese.

“Diplomacia parlamentare është mjet efikas për rritjen e shkëmbimeve, thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen për anëtarësimin e shpejtë në BE”, shkruan Spiropali në reagimin e saj. /rtsh/

Share This