
Milani ndalet nga Pisa, barazim dramatik në “San Siro”
Milani është ndalur me rezultat 2-2 ndaj Pisas në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Serie A, në një përballje plot emocione dhe raste nga të dyja skuadrat.
Vendasit kaluan herët në epërsi, në minutën e 7-të, falë një super goli të Rafael Leao, i cili me një goditje të bukur nga distanca e mposhti portierin mysafir për 1-0.
Pisa pati mundësinë e artë për të barazuar shifrat në fund të pjesës së parë, por Matteo Tramoni në minutën e 46-të gaboi nga një pozitë ideale, duke goditur pak centimetra mbi traversë.
Megjithatë, mysafirët arritën të barazojnë në minutën e 60-të, kur Juan Cuadrado u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë për 1-1.
Milani reagoi menjëherë dhe kërkoi golin e dytë. Leao ishte pranë dygolëshit në minutën e 64-të, por goditja e tij u përplas në traversë. Më pas, Saelemaekers në minutën e 70-të pati një tjetër rast të artë, por portieri i Pisas u tregua heroik me një pritje të jashtëzakonshme.
Në minutën e 86-të, Pisa befasoi “San Siron”, kur M’Bala Nzola shënoi për 2-1, pas një aksioni të shpejtë që zuri në befasi mbrojtjen kuqezi.
Por Milani nuk u dorëzua. Në minutën e 93-të, Zachary Athekame shënoi një gol fantastik për 2-2, pas një asistimi të bukur nga Luka Modric, duke shpëtuar skuadrën e tij nga humbja.
Me këtë barazim, Milani arrin në kuotën e 17 pikëve dhe mban përkohësisht vendin e parë në tabelë, në pritje të ndeshjeve të tjera të javës që zhvillohen gjatë fundjavës.


