
Milani afër transferimit të Jasharit, kuqezinjtë ofrojnë 35 milionë euro
AC Milani raportohet se është shumë afër transferimit të mesfushorit shqiptar Ardon Jashari, i cili aktualisht është pjesë e Club Brugge.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, ‘Rossonerët’ e kanë përmirësuar ofertën e tyre për ta bindur klubin belg që të lëshojë futbollistin, i cili ishte shpallur lojtari i vitit në Belgjikë.
Ofertës së Milanit, që kap vlerën prej 30 deri në 35 milionë euro, i mungon pak për të arritur kërkesat e Brugge, që vazhdon të kërkojë 40 milionë euro, por është e gatshme të pranojë 35 milionë plus bonuse. Kuqezinjtë nuk do të bëjnë ofertë tjetër – ose do të pranohet kjo e fundit, ose do të tërhiqen nga negociatat.
Vetë Jashari ka shprehur publikisht dëshirën për të veshur fanellën e Milanit, ndërsa mungesa e tij në përgatitjet parasezonale me Club Brugge shihet si sinjal i qartë për largimin e afërt.
22-vjeçari ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm në Belgjikë, me 52 paraqitje, 4 gola dhe 6 asistime.
Ai ishte transferuar nga Luzerni për vetëm 6 milionë euro vitin e kaluar dhe ka kontratë me Brugge deri në qershor 2029.
Vlera e tij aktuale në treg është 32 milionë euro, sipas faqes së specializuar “Transfermarkt”, ndërsa interesim për të kanë treguar edhe Borussia Dortmund, Manchester United, Manchester City, PSG dhe Bayer Leverkusen. Por, prioriteti i vetëm i Jasharit është Milani.
Tashmë, pritet vetëm përgjigja përfundimtare nga Club Brugge – një vendim që mund të mbyllet brenda ditëve të para të kësaj jave.


